UBT News

OKB miraton buxhetin për UNMIK-un për vitin 2022

Asambleja e Përgjithshme e OKB ka aprovuar buxhetin e misionit paqeruajtës në Kosovë për vitin në vijim. Duke filluar që nga 1 korriku 2021 deri në 30 qershor të 2022, UNMIK do të kushtojë 41. 298. 500 dollarë.

Pjesa më e madhe e buxhetit harxhohet për të financuar kostot e personelit. Gjithsej, 32 milionë 534 mijë e 400 dollarë.

Personeli i përgjithshëm i UNMIK-ut përbëhet nga 348 vetë, prej të cilëve 312 civilë dhe nëntë ekspertë civilë, si dhe 18 nën uniformë, prej nga 10 policë dhe tetë vëzhgues ushtarakë. Për personelin nën uniformë jepen 768 mijë e 500 dollarë. Për UNMIK-un punojnë po ashtu 21 vullnetarë.

Pjesa tjetër e buxhetit jepet për shërbimet dhe pajisjet 2 milionë e 784 mijë e 500, për infrastrukturën dhe objektet

2 milionë e 732 mijë e 200 dollarë, për komunikacionin 1 milion e 869 mijë e 800 dollarë. Po ashtu shpenzime ka për konsultime, udhëtime, shërbimet mjekësore.

Buxheti i UNMIK-ut në vitet e para ka qenë më shumë se 400 milionë dollarë në vit.

OKB financon 12 misione paqeruajtëse në botë, pjesa më e madhe e të cilave në kontinentin afrikan, me një buxhet të përgjithshëm prej rreth 6 miliardë dollarësh. Misionet e OKB në Mali, në Republikën e Afrikës Qendrore dhe Kongo i kanë buxhetet më të larta se 1 miliardë dollarë. Misioni tjetër paqeruajtës i OKB-së në Evropë përveç Kosovës ndodhet në Qipro, me një buxhet prej rreth 55 milionë dollarësh.

UNMIK-u, po ashtu si misionet e tjera paqeruajtëse, financohet nga një llogari financiare e veçantë, ku shtetet kontribuojnë sipas një formule të caktuar dhe që aprovohet çdo vit nga Asambleja e Përgjithshme./DW/

Exit mobile version