UBT News

OKB: Mbi 400 migrantë kanë vdekur në Mesdhe në tremujorin e parë të këtij viti

Mbi 400 migrantë dhe refugjatë kanë vdekur në detin Mesdhe në fillim të këtij viti në përpjekje për të kaluar Mesdheun Qendror nga Afrika Veriore në Evropë. Siç njofton Organizata e Kombeve të Bashkuara, ky është tremujori i parë me më së shumti viktima në gjashtë vjet.

Organizata Ndërkombëtare për Migracion ka regjistruar 441 viktima në muajt janar-mars, për rrugën më vdekjeprurëse të migrimit në botë, ku është theksuar se numri i vdekje mundet të jetë më i madh sesa është dokumentuar.

Siç thuhet në raportin e OKB-së, gjysma e viktimave mund të jenë si pasojë e operacioneve të ngadalta të shpëtimit të udhëhequra nga shtetet dhe ose nuk kishte fare mision shpëtimi.

“Kriza e vazhdueshme humanitare në Mesdheun qendror është e patolerueshme”, tha drejtori i përgjithshëm i IOM-it, António Vitorino.

“Me më shumë se 20 mijë vdekje të regjistruara në këtë rrugë që nga viti 2014, kam frikë se këto vdekje janë normalizuar. Shtetet duhet të përgjigjen”, deklaroi ai tutje.

Mijëra emigrantë kryesisht afrikanë nisin udhëtimin e rrezikshëm nga brigjet e Libisë dhe Egjiptit, shpesh me varka të vogla në kërkim të një jete më të mirë në Evropë./UBTNews/

Exit mobile version