Mbi 300 mijë civilë kanë vdekur brenda një dekade në Siri, “shifra më e lartë e vdekjeve si pasojë e konfliktit deri më tani” në luftën civile që filloi në vitin 2011, thonë Kombet e Bashkuara. Sipas këtij raporti, çdo ditë që nga viti 2011 deri në vitin 2021 kanë vdekur nga 83 civilë.
“Shifrat e viktimave të lidhura me konfliktin në raport nuk janë thjesht një grup numrash abstrakt, por përfaqësojnë qenie njerëzore individuale”, tha Michelle Bachelet, Komisionerja e Lartë e OKB-së për të Drejtat e Njeriut.
Raporti citon 143 mijë e 350 vdekje civile që janë dokumentuar individualisht nga burime të ndryshme me informacion të detajuar që përfshin emrat e plotë të të ndjerëve, datat dhe vendndodhjen e vrasjes.
Kombet e Bashkuara nuk kanë përfshirë njerëzit e vrarë në luftë familjarët e të cilëve nuk i kanë njoftuar autoritetet, as nuk përfshin vdekjet e ushtarëve dhe luftëtarëve, por numri i tyre besohet të jetë në dhjetëra mijëra.
“Rezultat i drejtpërdrejt i luftës”
Lufta civile e Sirisë filloi gjatë pranverës arabe në vitin 2011 si si një kryengritje paqësore kundër presidentit të vendit, Bashar al-Assad. Ngjarjet u përshkallëzuan shpejt, duke shkatërruar jetët e miliona njerëzve, duke shkatërruar qytete, duke tensionuar politikën globale dhe duke nxitur përpjekjet diplomatike që vazhduan të viheshin në dyshim vazhdimisht.
Ekspertët thonë se konflikti në Siri nuk ishte vetëm një nga më të përgjakshmit, por edhe një nga më të ndërlikuarit.
Bachelet tha se vdekja e 306 mijë e 887 civilëve përfaqëson “një 1.5% mahnitëse të popullsisë totale” dhe kjo shifër shkakton shqetësime serioze për “dështimin e palëve në konflikt për të respektuar normat e së drejtës humanitare ndërkombëtare për mbrojtjen e civilëve”./UBTNews/