UBT News

OKB: Mbi 13 milionë të zhvendosur si pasojë e pushtimit të Ukrainës nga Rusia

Koordinatori i Kombeve të Bashkuara për Ndihmën Emergjente, Martin Griffiths tha të hënën se gati 8 milionë njerëzve u është dashur të largohen nga Ukraina që nga fillimi i pushtimit rus, ndërsa 5.3 milionë të tjerë janë zhvendosur brenda vendit. Kjo është lëvizja më e madhe e refugjatëve që nga Lufta e Dytë Botërore, sipas OKB-së.

Griffiths, kreu i Zyrës së Kombeve të Bashkuara për Koordinimin e Çështjeve Humanitare (OCHA), i tha Këshillit të Sigurimit të OKB-së në New York se pothuajse 40% e popullsisë së Ukrainës kanë nevojë për ndihmë humanitare.

Për të adresuar krizën e rëndë humanitare që ka prekur 17.6 milionë njerëz në vend, OKB-ja tha se i duhen rreth 3.9 miliardë euro në emër të Planit të Reagimit Humanitar për Ukrainën.

Sipas OKB-së, që nga fillimi i pushtimit rus të Ukrainës më 24 shkurt të vitit 2022, mbi 7 mijë njerëz kanë vdekur.

“Shifrat aktuale janë sigurisht më të larta”, tha Griffiths./UBTNews/

Exit mobile version