UBT News

OKB-ja paralajmëron, Somalia do të goditet nga uria

Kombet e Bashkuara paralajmëruan të hënën se disa pjesë të Somalisë do të goditen nga uria këtë vit. Kjo do të jetë hera e dytë brenda një dekade që Somalia goditet nga uria.

Çfarë tha OKB-ja?

“Uria është në derë”, tha Shefi i OKB-së për ndihmë humanitare, Martin Griffiths, në një konferencë për media në Mogadishu.

“Katër sezone radhazi me shi, dekada konflikti, zhvendosje masive, çështjet e rënda ekonomike, po shtyjnë shumë njerëz në… pragun e urisë”, tha ai.

Griffiths tha se uria do të godasë pjesë të rajoneve jugore-qendrore të Baidoa-s dhe Burhakaba-s midis tetorit dhe dhjetorit.

Sipas tij, situata aktualisht është më e rëndë sesa gjatë periudhës së vitit 2011, gjatë zisë së bukës, kur mbetën të vdekur 260 mijë njerëz, kryesisht fëmijë.

Thatësira më e keqe në më shumë se 40 vjet

Somalia dhe vendet fqinje në Afrikën Lindore po vuajnë thatësirën më të keqe në më shumë se 40 vjet pas katër sezoneve të dështuara me shi. Thatësira ka ndikuar edhe te bagëtia dhe të mbjellat. Agjencitë humanitare kanë thënë se situata mund të rëndohet.

Vetëm në Somali, agjencitë e OKB-së thonë se numri i njerëzve që përballen me nivele të krizës së urisë është 7.8 milionë apo rreth gjysma e popullsisë. Rreth 1 milion njerëz janë larguar nga shtëpitë e tyre për të kërkuar ushqim dhe ujë, thonë agjencitë e OKB-së./UBTNews/

Exit mobile version