UBT News

OKB-ja paralajmëron se miliona njerëz në Nigeri do të përballen me uri

Kombet e Bashkuara (OKB) alarmuan të mërkurën për situatë të rëndë humanitare në verilindje të Nigerisë, vend ky që u shkatërrua nga konflikti, duke paralajmëruar se rreth 6 milionë njerëz kanë nevojë për ndihmë.

OKB njoftoi se numri i njerëzve që kërkojnë ndihmë në rajon po rritet ndjeshëm.

“Ne duhet të veprojmë shpejt për të parandaluar që situata në verilindje të Nigerisë të bëhet edhe më katastrofike”, tha Matthias Schmale, koordinatori humanitar i OKB-së.

Duke iu drejtuar një konference shtypi në Gjenevë, ai paralajmëroi se rreth 4.3 milionë njerëz po përballen me uri në Borno, Adamawa dhe Yobe, tri shtetet kryesore të Nigerisë verilindore.

Konflikti i përgjakshëm mes ushtrisë dhe grupeve xhihadiste, në mesin e tyre edhe Boko Haram, është ndezur që nga viti 2009.

Vlerësohet se më shumë se 40 mijë njerëz janë vrarë dhe 2 milionë të tjerë janë zhvendosur, duke shënuar një nga krizat më të rënda humanitare të shekullit të 21-të./UBTNews/

Exit mobile version