Këshilli i OKB-së për të Drejtat e Njeriut miratoi sot një rezolutë, e cila synon të formojë një komision ekspertësh për monitorimin e të drejtave të njeriut në Ukrainë.
Nga gjithsej 47 anëtarë të Këshillit, 32 vende votuan pro rezolutës, dhe vetëm Rusia dhe Eritrea ishin kundër, ndërsa 13 abstenuan.
Ambasadorja e Ukrainës në OKB, Yevhenia Filipenko u prek dukshëm nga rezultati dhe falënderoi “të gjithë ata që votuan për kursin e duhur”.
Para votimit, ajo bëri thirrje për një minutë heshtjeje për të nderuar të gjithë të vrarët në luftën ruso-ukrainase.
“Forcat ruse vazhdojnë të bombardojnë qëllimisht dhe pa dallim qytetet e Ukrainës. Numri i të zhvendosurve tashmë ka kaluar një milion”, tha ajo.
Rezoluta bën thirrje për “operacionalizimin e menjëhershëm” të një ekipi ekspertësh prej tre anëtarësh – Komisioni Hetimor, që do të emërohet nga Komisionarja e Lartë e OKB-së për të Drejtat e Njeriut, Michelle Bachelet.
Ekspertët do të ngarkohen me mbledhjen dhe analizimin e provave që mund të përdoren nga gjykata, si Gjykata Ndërkombëtare Penale, e cila ka nisur hetimin e saj për pushtimin e Rusisë.