Deportimi i fëmijëve ukrainas nga ana e Rusisë në zonat që janë nën kontrollin e saj përbën krim lufte, kanë thënë hetuesit e OKB-së.
Komisioni Hetimor i OKB-së për Ukrainën tha se ka prova të transferimit të paligjshëm të qindra fëmijëve ukrainas në Rusi.
Në raportin e Komisionit thuhet se Rusia kreu edhe krime të tjera lufte në Ukrainë, sikurse sulme në spitale, tortura, përdhunime dhe vrasje me paramendim. Qeveria e Ukrainës thotë se numri i fëmijëve të dërguar me forcë në Rusi është 16 mijë e 221.
Rusia ka sjellë disa politika sikurse dhënia e nënshtetësisë ruse dhe vendosja e fëmijëve në familje kujdestare për të “krijuar një kornizë në të cilën disa nga fëmijët mund të mbesin përgjithmonë” në Rusi, thotë raporti.
Në disa raste, prindërit ose fëmijët i thanë Komisionit se diku në zonat e kontrolluara nga Rusia, fëmijët e transferuar detyroheshin të vishnin “rroba të pista, u bërtisnin dhe i thërrisnin me emra”. Sipas tyre, “disa fëmijë me aftësi të kufizuara nuk morën kujdesin dhe mjekimin e duhur”.
Në raport thuhet se barra e kontaktit me prindërit i ra kryesisht fëmijëve të transferuar pasi të rriturit u përballën me “sfida të konsiderueshme logjistike, financiare dhe të sigurisë” në gjetjen ose marrjen e fëmijëve të tyre./UBTNews/