Shtetet anëtare të bllokut paralajmëruan kundër përdorimit të lëndëve djegëse fosile si përgjigje ndaj rritjes së çmimeve të energjisë në mes të pushtimit rus të Ukrainës.
Kombet e Bashkuara u kanë bërë thirrje vendeve të Bashkimit Evropian që të mos përdorin më shumë lëndë djegëse fosile pasi përballen me rritjen e çmimeve të energjisë mes frikës nga mungesat e dimrit.
“Përballë rritjes së çmimeve të energjisë që kërcënojnë të ndikojnë tek më të cenuarit me afrimin e dimrit, disa shtete anëtare të BE-së po i drejtohen investimeve në infrastrukturën dhe furnizimet e lëndëve djegëse fosile”, Nada al-Nashif nga OKB i tha Këshillit të Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut.
“Nuk ka vend për t’u tërhequr përballë krizës së vazhdueshme klimatike”, tha al-Nashif.
Ajo vuri në dukje përmbytjet shkatërruese që prekin më shumë se 33 milionë njerëz në Pakistan si një shembull i asaj që ndodh kur bota dështon të veprojë ndaj ndryshimeve klimatike.
“Sa tragjedi të tjera të këtij lloji na duhen përpara se urgjenca e momentit të na shtyjë në veprim” tha ajo.
Duke folur në hapjen e sesionit të 51-të të këshillit në Gjenevë, al-Nashif pranoi se rritja e çmimeve të energjisë në Evropë “kërcënon të ndikojë tek më të cenuarit me afrimin e dimrit”.
Javën e kaluar, Rusia shkaktoi një frikë të madhe kur ndaloi dërgesat e gazit në Gjermani përmes tubacionit kryesor Nord Stream 1 për një periudhë të pacaktuar.
Vendet evropiane akuzojnë Rusinë se këtë po e bën në shenjë hakmarrjeje si pasojë e sanksioneve perëndimore të vendosura ndaj saj për pushtimin e Ukrainës.
Por Moska vazhdon të insistojë se sanksionet po shkaktojnë probleme të furnizimit.
Al-Nashif bëri thirrje që zhvillimi i projekteve të kursimit të energjisë dhe burimeve të rinovueshme të energjisë të përshpejtohen urgjentisht.
“Është thelbësore të përshpejtohet zhvillimi i projekteve të efiçiencës së energjisë dhe burimeve të rinovueshme”.
Al-Nashif gjithashtu u bëri thirrje të gjitha vendeve “të kërkojnë një rezultat ambicioz” në konferencën e ardhshme të OKB-së për klimën në Egjipt në nëntor.
Ajo preku gjithashtu shkeljet e të drejtave në shumë vende ndërsa filloi sesioni i 51-të i rregullt i Këshillit të të Drejtave të Njeriut, përfshirë persekutimin e kundërshtarëve të luftës dhe gazetarëve në Rusi./UBTNews/