Nivele të thella të urisë kanë prekur të paktën 155 milionë persona vitin e kaluar si rezultat i konflikteve, dëmeve ekonomike të shkaktuara nga pandemia e koronavirusit dhe moti ekstrem, derisa situata këtë vit është e njëjtë ose edhe më e ashpër, është thënë në një raport të përpiluar nga 16 organizata.
Dy të tretat e njerëzve që janë përballur me këtë krizë janë nga 10 shtete – Afganistan, Jemen, Siri, Sudan, Kongo, Nigeri veriore, Etiopi, Sudan Jugor, Zimbabve dhe Haiti.
Të 155 milionë personat përballen me “krizë”, “emergjencë” apo me nivele katastrofike të urisë, çka përbën rritje prej 20 për qind të numrit të personave që janë përballur me diçka të tillë, krahasuar me vitin 2019, ka thënë raporti.
“Numri i personave që përballen me pasiguri të thellë në ushqim dhe kërkojnë urgjentisht ushqim dhe ndihmë për jetesë, është duke u rritur”, ka thënë Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara Antonio Guterres teksa ka prezantuar Raportin Global për Krizë Ushqimore.
“Në shekullin 21, nuk ka vend për uri”, ka thënë Guterres.
“Neve na duhet ta luftojmë urinë dhe konfliktin, për ta zgjidhur njërin apo tjetrin problem”.
Raporti, që mbulon 55 shtete, po ashtu ka thënë se 133,000 njerëz në Burkina Faso, Sudanin Jugor dhe Jemenin, kanë nevojë urgjente për ushqim, për të parandaluar vdekjet nga uria.
Ekonomisti kryesor në Programin Botëror të Ushqimit Arif Husain ka thënë në një konferencë për media në OKB, se konfliktet nxisin më së shumti krizën me ushqim.