Oda Ekonomike e Kosovës (OEK) nuk ka shkuar në takimin e thirrur nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve për çështjen e rritjes së pagës minimale, takim i planifikuar për të enjten, më 30 tetor, nga ora 10:00.
Në komunikatën për media thuhet se dialogu me komunitetin e biznesit nuk mund të zëvendësohet me takime formale, duke theksuar edhe se gjatë kësaj periudhe bizneset janë përballur me një sërë vendimesh.
“OEK thekson se në katër vitet e fundit nuk ka pasur asnjë dialog të mirëfilltë e gjithëpërfshirës ndërmjet Qeverisë dhe komunitetit të biznesit, ndonëse një proces i tillë është thelbësor për adresimin e sfidave ekonomike dhe zhvillimin e qëndrueshëm të vendit. Gjatë kësaj periudhe, bizneset janë përballur me një sërë vendimesh të njëanshme, të cilat kanë ndikuar drejtpërdrejt në funksionimin e tregut dhe klimën e investimeve”, thuhet në komunikatën për media nga OEK.
Kryetari i OEK-ut, Lulzim Rafuna, ka theksuar se proceset që prekin bizneset, siç është edhe çështja e pagës minimale, kërkojnë qasje serioze, analiza të mirëfillta dhe konsultim të gjerë me sektorin privat.
“Oda Ekonomike e Kosovës është pjesë e Këshillit Ekonomiko-Social me dy anëtarë dhe gjithmonë ka qenë e gatshme për dialog të hapur e konstruktiv. Megjithatë, një qeverisje legjitime dhe e votuar në Kuvendin e Republikës së Kosovës duhet të tregojë përgjegjësi institucionale, duke dëgjuar dhe përfshirë partnerët ekonomikë në proceset e vendimmarrjes”, ka deklaruar Rafuna.
OEK rithekson se nuk e sheh të arsyeshme të bëhet pjesë e asnjë fushate politike, por do të vazhdojë të angazhohet për takime të nivelit të lartë, me qëllim fuqizimin e bizneseve, stabilitetin ekonomik dhe zhvillimin e vendit./EO
