UBT News

OEK lëshon certifikatën e parë “Made in Kosova”, përfituese kompania FLUIDI Group

Oda Ekonomike e Kosovës ka lëshuar certifikatën e parë të origjinës “Made in Kosova”, sipas standardeve ndërkombëtare, pas pranimit në Rrjetin Ndërkombëtar të Dhomave të Tregtisë (ICC) për lëshimin e Certifikatave të Origjinës.

Certifikata e parë i është lëshuar kompanisë FLUIDI Group, ndërsa dokumenti u është dorëzuar përfaqësuesve të kompanisë nga kryetari i OEK-ut, Lulzim Rafuna, dhe zëvendësministri i Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Jeton Mehmeti.

Sipas OEK-ut, ky zhvillim paraqet një hap të rëndësishëm për bizneset kosovare, pasi certifikatat “Made in Kosova” të lëshuara sipas standardeve ndërkombëtare rrisin besueshmërinë e dokumentacionit tregtar dhe lehtësojnë procedurat e eksportit në tregjet ndërkombëtare.

Certifikata pritet t’u mundësojë kompanive kosovare një proces më të standardizuar dhe më të besueshëm për dëshmimin e origjinës së produkteve, duke kontribuar në forcimin e pozitës së tyre në tregtinë ndërkombëtare dhe në zgjerimin e eksporteve.

OEK ka vlerësuar se përfshirja në rrjetin ndërkombëtar të ICC-së dhe lëshimi i certifikatave sipas këtyre standardeve përbën avancim të rëndësishëm në shërbimet për bizneset dhe mbështetjen e tyre për qasje më të lehtë në tregjet globale.

Oda Ekonomike e Kosovës ka uruar FLUIDI Group për marrjen e certifikatës së parë “Made in Kosova”, duke i dëshiruar sukses në zgjerimin e aktiviteteve dhe prezencës së saj në tregjet ndërkombëtare./A.K/

Exit mobile version