Oda Ekonomike e Kosovës ka kërkuar nga Qeveria të rishqyrtojë vendimin e fundit për ndalimin e qarkullimit të automjeteve të transportit të mallrave me peshë mbi 7.5 ton, i cili ka hyrë në fuqi nga data 14 korrik 2024.
Në një reagim për media thuhet se heqja e kësaj mase ndalimi është e nevojshme pasi me këtë po dëmtohen bizneset duke ndikuar kështu drejtpërdrejt në rritjen e eksportit.
OEK thotë se ky vendim ka ndikim shumë të rëndë mbi operimin e rregullt të kompanive dhe aktiviteteve ekonomike brenda dhe jashtë vendit, dhe se kompanitë prodhuese rrezikojnë të humbasin tregjet e jashtme, veçanërisht për produktet sezonale vendore që eksportohen vetëm në këtë periudhë.
Për më tepër, OEK përkujton se kompanitë tregtare dhe ato transportuese po përballen me çrregullime në zinxhirin e furnizimit, të cilat do të shkaktojnë rritje të shpenzimeve për kompanitë vendore dhe si rezultat nuk do të jenë në gjendje t’i përballojnë këto kosto.
Duke konstatuar se asnjë vend i rajonit nuk ka vendosur kufizime të tilla, nuk e shohim të arsyeshme që vetëm Kosova të vendosë një kufizim të tillë, sidomos duke e ditur se rrugët tona janë ndërtuar me cilësi shumë më të lartë se ato të vendeve të rajonit, përfundon reagimi.
Ndryshe, nga data 14 korrik 2024 ka hyrë në fuqi vendimi për ndalimin e qarkullimit për të gjitha automjetet e transportit të mallrave me peshë më të madhe se 7.5 ton. Vendimi vlen nga data 14 korrik deri më 31 korrik 2024, nga ora 11:00-17:00.