Oda Ekonomike e Kosovës ka pranuar me shqetësim që Dhoma e Shkallës së Dytë e Gjykatës Komerciale ka ndryshuar masën e sigurisë për shtyrjen e ekzekutimit të vendimit nr. 275/24, të datës 05.04.2024, dhe njoftimit të datës 12.03.2025 të nxjerrë nga ZRrE.
OEK, duke qenë institucion publik, nuk e komenton vendimin e Dhomës së Shkallës së Dytë të Gjykatës Komerciale, por njofton se do të vazhdojë betejën ligjore nëpërmjet mjeteve të tjera ligjore në dispozicion, brenda afateve të përcaktuara, dhe për këtë do të njoftojë me kohë të gjithë anëtarët e Odës Ekonomike të Kosovës.
Përkundër këtij vendimi, OEK kërkon nga Zyra e Rregullatorit për Energji që të mos marrë veprime të tjera që do t’i dëmtonin bizneset, të cilat tashmë janë dëmtuar nga vendimet e ZRrE-së që kanë shkuar në dëm të ekonomisë së vendit dhe kanë ndikuar në shtrenjtimin e jetesës së qytetarëve të Republikës së Kosovës.
Në ditët në vijim, ne do të konsultohemi me bizneset dhe do të shqyrtojmë hapat e tjerë që do të ndërmerren. Për këtë, do të njoftoheni me kohë.