UBT News

OECD: Në mbarë botën, vetëm nëntë për qind e plastikës riciklohet

Më pak se 10 për qind e plastikës së përdorur në mbarë botën riciklohet, tha të martën OECD, duke bërë thirrje për “zgjidhje të koordinuara dhe globale” përpara bisedimeve të pritshme për një traktat ndërkombëtar të plastikës, përcjell UBT News.

Një raport i ri nga hulumtimi i Organizatës për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim zbuloi se 460 milionë tonë plastikë u përdorën në vitin 2019, shifër kjo pothuajse e dyfishuar që nga viti 2000.

Sasia e mbetjeve plastike ishte më shumë se dyfishuar gjatë asaj kohe në 353 milion ton, tha OECD me bazë në Paris.

“Pas marrjes parasysh të humbjeve gjatë riciklimit, vetëm nëntë për qind e mbetjeve plastike u ricikluan përfundimisht, ndërsa 19 për qind u djegën dhe pothuajse 50 për qind shkuan në deponitë sanitare. Pjesa e mbetur prej 22 përqind u hodh në deponi të pakontrolluara, u dogj në gropa të hapura ose u derdh në mjedis”.

Pandemia e Covid-19 pa rënie në përdorimin e plastikës me 2.2 për qind në vitin 2020 krahasuar me një vit më parë. Megjithatë, plastika njëpërdorimshe u rrit dhe përdorimi i përgjithshëm “parashikohet të rritet përsëri” ndërsa ekonomia rimëkëmbet, thuhet në raport.

Përballë ngrohjes dhe ndotjes së shfrenuar globale, është “e rëndësishme që vendet t’i përgjigjen sfidës me zgjidhje të koordinuara dhe globale”, tha në raport Sekretari i Përgjithshëm i OECD, Mathias Cormann./UBTNews/

Exit mobile version