Filmi “Odyssey” i regjisorit Christopher Nolan ka ngjallur interes të madh në Greqi, duke u shndërruar në një nga temat më të diskutuara të momentit.
Sipas një sondazhi të Kapa Research, rreth 90 për qind e grekëve kanë dëgjuar për filmin, ndërsa 48 për qind janë përfshirë tashmë në diskutime rreth tij. Në mesin e atyre që e kanë parë, 71 për qind e kanë vlerësuar pozitivisht filmin.
Edhe Christopher Nolan gëzon mbështetje të lartë në Greqi, me 64 për qind të të anketuarve që kanë opinion pozitiv për regjisorin. Efektet vizuale janë vlerësuar më së shumti, me 86 për qind vlerësime pozitive, ndërsa interpretimet e Matt Damon dhe Anne Hathaway kanë marrë nga 85 për qind.
Një tjetër pikë që ka marrë vlerësim të lartë është regjia e Nolan, me 81 për qind të të anketuarve që e kanë vlerësuar pozitivisht. Ndërkohë, më të ndara janë opinionet për mënyrën se si filmi e përshtat veprën e Homerit, ku 48 për qind kanë dhënë vlerësim pozitiv.
Filmi shihet si mundësi për turizmin
“Odyssey” duket se mund të ketë ndikim edhe përtej kinemasë. Sipas sondazhit, 79 për qind e personave që e kanë parë filmin besojnë se ai do të ndihmojë në promovimin e Greqisë, ndërsa 75 për qind mendojnë se mund të ndikojë në rritjen e turizmit.
Debat ka shkaktuar edhe përzgjedhja e Lupita Nyong’o në rolin e Helenës së Trojës. Në total, 46 për qind e të anketuarve e shohin pozitivisht ose në mënyrë neutrale këtë zgjedhje, ndërsa po 46 për qind janë kundër saj. Në mesin e atyre që e kanë parë filmin, mbështetja për aktoren rritet në 62 për qind.
Publiku grek është ndarë gjithashtu mes lirisë artistike të regjisorit dhe besnikërisë ndaj veprës së Homerit. Rreth 40 për qind preferojnë lirinë krijuese, ndërsa 39 për qind do të donin një përshtatje më besnike të veprës origjinale.
Sondazhi i Kapa Research është zhvilluar nga 31 korriku deri më 2 gusht 2026, me 1 mijë e 575 persona në 13 rajone të Greqisë. Prej tyre, 238 kishin parë tashmë filmin./A.K/
