Oda Ekonomike Amerikane e Kosovës ka kërkuar që Qeveria të demonstrojë përkushtim ndaj partnerëve ndërkombëtarë duke marrë masa për uljen e tensioneve në veri. Përmes një deklarate, theksohet se tensionet krijojnë atmosferë pasigurie e cila i pengon investitorët e mundshëm në Kosovë.
Sipas Odes Ekonomike Amerikane, zgjidhja e tensioneve dhe nxitja e një mjedisi paqësor dhe stabil janë thelbësore për krijimin një mjedisi të favorshëm afarist që mund të tërheqë investime.
“Investitorët kërkojnë mjedise të qëndrueshme dhe të sigurta për bizneset e tyre, ndërsa tensionet e vazhdueshme mund të minojnë besimin në prospektet ekonomike të Kosovës. Tensionet dhe përplasjet krijojnë një atmosferë pasigurie dhe paparashikueshmërie, e cila i pengon investitorët e mundshëm. Prandaj, Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë shpreh shqetësimet e saj për zhvillimet e fundit dhe mungesën e vullnetit të Qeverisë së Kosovës për të koordinuar përpjekjet e saj me partnerët ndërkombëtarë, përfshirë SHBA-në dhe BE-në”, është theksuar në deklaratë.
Aty përmenden edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës si mbështetës të palëkundur të Pavarësisë së Kosovës dhe partnerë jetik në avancimin e aspiratave të Kosovës për integrim evropian.
Gjithashtu theksohet se Bashkimi Evropian luan rol vendimtar në mbështetjen e zhvillimit politik dhe ekonomik të Kosovës.
“Prandaj, duke marrë parasysh ndikimin që ka situata aktuale në zhvillimet socio-ekonomike në përgjithësi, dhe në sektorin privat dhe përpjekjet për tërheqjen e investimeve në veçanti, Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë kërkon nga Qeveria e Kosovës që menjëherë t’i marrë parasysh thirrjet nga SHBA dhe BE për shtensionimin e situatës në veri të vendit”, ka deklaruar Oda Ekonomike Amerikane.