UBT News

Oda Ekonomike Amerikane: Refuzimi për t’i zbatuar urdhrat e gjykatës minon besimin e publikut në qeverisje

Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë thekson se sundimi i ligjit është gurthemeli i qeverisjes demokratike, stabilitetit ekonomik dhe konfidencës së investitorëve. Sipas OEAK një sistem i fortë dhe i pavarur gjyqësor, i lirë nga ndërhyrja politike, është jetësor për sigurimin e integritetit institucional dhe besimit publik. Më tej thuhet se zbatimi konsistent dhe i paanshëm i normave juridike jo vetëm që mbron demokracinë, por gjithashtu promovon një mjedis të parashikueshëm afarist, të nevojshëm për rritjen e qëndrueshme ekonomike.

“Respektimi i kornizës ligjore nuk është vetëm obligim kushtetues, por një parakusht themelor për qeverisjen e mirë dhe zhvillimin ekonomik. Kodi i Procedurës Penale i Republikës së Kosovës në mënyrë eksplicite parasheh që hetimet dhe ndjekjet penale duhet të kryhen në mënyrë të ligjshme dhe të drejtë para organeve kompetente gjyqësore. Ligji përcakton detyrën e institucioneve dhe zyrtarëve publikë për të bashkëpunuar në plotni në procedurat penale. Çfarëdo pengimi i drejtësisë, duke përfshirë ndërhyrjen në hetime apo mosrespektimin e obligimeve ligjore, përbën shkelje serioze të ligjit si dhe dobëson integritetin e institucioneve të Kosovës”, thuhet në komunikatë.

Më tej thuhet se “refuzimi i cilitdo individ, pavarësisht pozitës – për të zbatuar urdhrat e gjykatës dhe për të përmbushur procedurat ligjore minon besimin e publikut në qeverisje si dhe gërryen bazamentin demokratik të Kosovës”.

“Kodi Penal, përforcon pasojat ligjore të pengimit të drejtësisë dhe keqpërdorimit të autoritetit zyrtar. Çfarëdo veprimi që pengon ose cenon proceset gjyqësore duhet të dënohet pa mëdyshje, meqë kërcënon parimet e llogaridhënies dhe transparencës”, thuhet në njoftim.

Sipas OEAK një angazhim i palëkundur ndaj sundimit të ligjit është gjithashtu tejet i rëndësishëm për tërheqjen e investimeve të huaja. Investitorët ndërkombëtarë kërkojnë siguri ligjore, stabilitet institucional dhe zbatim të drejtë të kontratave.

“Perceptimi i ndikimit politik mbi procedurat gjyqësore ose shpërfillja e procedurave ligjore mund të pengojë investimet dhe të kufizojë potencialin ekonomik të Kosovës. Për të nxitur një klimë konkurruese dhe mikpritëse për investitorët, institucionet duhet të garantojnë sigurinë ligjore dhe të demonstrojnë një zotim të qartë për të luftuar korrupsionin dhe për të siguruar transparencën”, thuhet në komunikatë.

Në ndërlidhje me hetimet e Prokurorisë Speciale rreth abuzimit të mundshëm të autoritetit në rastin e rezervave shtetërore, Oda Amerikane u bën thirrje të gjithë liderëve politikë dhe institucionalë që të respektojnë plotësisht procesin ligjor dhe të bashkëpunojnë me autoritetet gjyqësore.

“Lufta kundër korrupsionit dhe shpërdorimit të detyrës është një përgjegjësi e përbashkët që kërkon angazhimin e palëkundur të të gjitha degëve të qeverisë, por edhe të sektorit privat dhe të shoqërisë civile”, thuhet në njoftim.

Në fund thuhet se progresi i Kosovës në forcimin e sundimit të ligjit është thelbësor për reputacionin e saj ndërkombëtar, zhvillimin ekonomik dhe konsolidimin demokratik.

Oda Ekonomike Amerikane i bënë thirrje Qeverisë së Kosovës dhe të gjithë hisedarëve politikë që të respektojnë normat ligjore, të respektojnë pavarësinë e gjyqësorit dhe të sigurojnë që asnjë individ nuk është mbi ligjin.

Ndryshe, u urdhërua të paraqitej për të dhënë dëshmi në Prokurorinë Speciale të Kosovës, kryeministri në detyrë Albin Kurti nuk është paraqitur as dje aty.

Kjo ishte hera e tretë që Kurti pritej të dëshmonte lidhur me rastin e rezervave shtetërore.

Prokuroria po kërkon tash e sa muaj dëshminë e shefit të ekzekutivit lidhur me një rast për rezervat shtetërore, por Kurti insiston që dëshminë ta jap në zyrën e tij në kryeministri.

Çështja e intervistimit të Kurtit po diskutohet prej dhjetorit të vitit të kaluar, kur edhe u lëshua ftesa e parë e Prokurorisë Speciale. Deri më tash, Albin Kurti ka ngulmuar që dëshminë ta jap vetëm në Zyrën e Kryeministrit.

Gjykata Themelore në Prishtinë të premten më 28 shkurt, ka bërë të ditur se ka lëshuar urdhër që obligon kryeministrin e Kosovës në detyrë, Albin Kurti që të paraqitet më 4 mars në Prokurorinë Speciale të Kosovës për të dhënë dëshminë e tij në cilësinë e dëshmitarit, në një rast të hapur lidhur me dyshimet për keqpërdorime me rezervat shtetërore.

Në anën tjetër, në ekzekutiv përmes një letre drejtuar Gjykatës Themelore në Prishtinë, kanë kërkuar që ta obligojë Prokurorinë Speciale që të marrë dëshminë e Albin Kurtit brenda zyrës së tij në kryeministri.

Exit mobile version