UBT News

Oda Ekonomike Amerikane: Gazi amerikan duhet të bëhet prioritet strategjik për Kosovën

Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë i ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që qasjen në gazin e lëngshëm natyror (LNG) nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe zhvillimin e infrastrukturës përkatëse ta trajtojë si prioritet strategjik kombëtar.

Sipas Odës, një orientim i tillë do të kontribuonte në forcimin e sigurisë energjetike të vendit, por edhe në thellimin e bashkëpunimit strategjik me SHBA-në.

Në reagim theksohet se sistemi energjetik i Kosovës vazhdon të mbështetet kryesisht në termocentralet me linjit dhe në importin e energjisë elektrike, çka sipas tyre paraqet barrë për ekonominë dhe rrit ndjeshmërinë ndaj luhatjeve të tregut.

Oda Amerikane vlerëson se zhvillimi i infrastrukturës së gazit dhe integrimi në rrjetet rajonale të LNG-së do të ndihmonte në diversifikimin e burimeve energjetike, uljen e kostove të importit dhe rritjen e konkurrueshmërisë së ekonomisë së Kosovës.

Po ashtu, theksohet se vendet e rajonit tashmë po pozicionohen në korridoret e reja energjetike, ndërsa Kosova rrezikon të mbetet jashtë këtyre zhvillimeve nëse nuk vepron me kohë.

Në fund, Oda Amerikane i bën thirrje institucioneve që të ndërmarrin hapa konkretë drejt integrimit në infrastrukturën rajonale të gazit, duke paralajmëruar se mosveprimi mund të rrisë cenueshmërinë energjetike të vendit.

Exit mobile version