Oda e Hotelerisë dhe Turizmit ka bërë të ditur se 30 për qind e bizneseve në Kosovë rrezikojnë të mbyllen.
Në një komunikatë për media thuhet se kryetari i kësaj ode, Hysen Sogojeva ka pritur në takim kryetarët e Njësive Rajonale. Në këtë takim u diskutua për shumë çështje e problematika me të cilat po ballafaqohen bizneset në tërë Kosovën.
“Kryetarët e Njësive Rajonale janë shprehur shumë të shqetësuar për gjendjen aktuale me të cilën po përballen bizneset e sidomos me ngritjen e çmimeve duke e argumentuar këtë me faktin se nga janari kosto e mallit është ngritur 42% e duke ia shtuar kësaj edhe problemet me të cilat bizneset do të ballafaqohen gjatë dimrit për shkak të paralajmërimeve për krizë energjetike”, thuhet në komunikatë.
Oda e Hotelerisë dhe Turizmit ka kërkuar nga qeveria që të gjendet një mënyrë që këto biznese të ndihmohen, përcjell Klankosova.tv.
“Qeveria e Kosovës ka paralajmëruar që na pret një dimër i vështirë, prandaj OHTK kërkon që të gjendet mënyra që këto biznese të ndihmohen përndryshe së paku 30% e tyre rrezikojnë të mbyllen, Qeveria në vend që të marrë vendime që e rëndojnë edhe më shumë gjendjen e bizneseve, duhet që së bashku me OHTK-në dhe Odat tjera të gjejë mënyra për përkrahjen e tyre që të mbijetojnë. OHTK do të vazhdojë të jëtë zë dhe përfaqësues i bizneseve para të gjitha institucioneve dhe mekanizmave tjerë”, thuhet tutje në komunikatë.