Oda e Hotelerisë dhe Turizmit të Kosovës është kundër mbylljes se bizneseve, duke kërkuar shqyrtim të masave nga institucionet shtetërore.
Përmes një reagimi ata kanë kërkuar që para datës 13 shtator t’i shqyrtojnë këto kërkesa dhe të dalin me vendime të reja të cilat do të jenë të favorshme edhe për bizneset, si dhe sa më parë të hartohet një strategji për rimëkëmbjen ekonomike të të gjithë të dëmtuarve.
Reagimi i plotë:
Pas një takimi të mbajtur me përfaqësues të bizneseve, kryetarë të Njësive Rajonale dhe përfaqësues të tjerë, Oda e Hotelierisë dhe Turizmit të Kosovës ka arritur në një përfundim:
Duke u bazuar në atë që Organizata Botërore e Shëndetit (OBSH) me kohë ka paralajmëruar që vala e tretë e virusit Covid-19 do të përhapet në fund të muajit gusht dhe fillim të muajit shtator, dhe se kjo valë do të përhapet më shpejt se të tjerat, duke marrë parasysh këtë informacion që e kemi pasur tërë kohën përpara, si përfunduam në këtë gjendje?
Edhe pse OHTK ka pasur takime të shpeshta me përfaqësues të Insitutcioneve të Kosovës e në veçanti me ministrin e Shëndetësisë z. Arben Vitia, dhe shpeshherë janë dakorduar për manuale të përbashkëta, menaxhimi i situatës me pandeminë është kompetencë ekskluzive e Ministrisë së Shëndetësisë.
Institucionet shtetërore kanë pasur kohë të mjaftueshme për t’u marrë me fushata sensibilizuese ndaj vaksinimit, apo edhe për të aplikuar forma të ndryshme të sanksioneve ndaj qytetarëve të cilët refuzojnë vaksinimin, por fatkeqësisht nuk janë bërë asnjëra nga këto.
Papërgjegjësia e Institucioneve përkatëse dhe neglizhenca e tyre ndaj situatës ka bërë që të jemi në këtë gjendje të cilën ndodhemi tash e sa javë, dhe për këtë nuk duhet të fajësohen bizneset të cilët thjesht kanë kryer punën e tyre, në shumicën e rasteve sipas manualeve të dala nga vet Qeveria.
Edhe pse manualet janë punuar bashkarisht me përfaqësues të OHTK, zbatimi i tyre nuk është monitoruar nga inspektoriati apo policia, dhe për këtë arsye nuk keni asnjë të drejtë t’iu vërsuleni bizneseve me mbyllje apo qytetarëve me gjoba!
Oda e Hotelierisë dhe Turizmit të Kosovës ndonjëherë i ka përkrahur masat që kanë qenë në interes të mirëqenies së qytetarëve, edhe pse pothuajse çdoherë kanë qenë në dëm të bizneseve që i përfaqëson, mirëpo duke i parë dëmet e fundit që po u shkaktohen bizneseve që nuk kanë hapësirë të jashtme, kërkojmë nga ministri i financave z. Hekuran Murati ose ministria që drejton t’i mbështesin financiarisht këto biznese.
Reduktimi i orarit të punës ashtu siç parashihet në masat e fundit ka reduktuar të hyra dhe po shkakton shumë pengesa në funksionimin e bizneseve, e më shumë se bizneset këto masa e kanë dëmtuar fuqinë punëtore, duke i detyruar bizneset që një pjesë të tyre ta largojnë nga puna, prandaj kërkohet kompensim i menjëhershëm i kësaj kategorie.
Le të shtohet numri i inspektorëve, policëve, të bëhet monitorim më i mirëfilltë, t’u kërkohet dëshmi e vaksinimit apo testit negativ në hyrje të çdo lokali apo biznesi por ASESI mos të ketë mbyllje totale!
Kërkojmë nga institucionet shtetërore që para datës 13 shtator t’i shqyrtojnë këto kërkesa dhe të dalin me vendime të reja të cilat do të jenë të favorshme edhe për bizneset, si dhe sa më parë të hartohet një strategji për rimëkëmbjen ekonomike të të gjithë të dëmtuarve.
Prishtinë, 03/09/2021