Oda e Farmacistëve të Kosovës (OFK) ka reaguar ndaj draft-rregullores së Komunës së Prishtinës për tarifa, ngarkesa dhe gjoba komunale, duke shprehur shqetësim për mënyrën se si janë trajtuar barnatoret në këtë dokument.
Gjatë diskutimit publik të organizuar nga Komuna e Prishtinës, kryetari i OFK-së, Kadri Bytyqi, i shoqëruar nga Florina Berisha dhe Ilir Luzha, paraqiti vërejtjet dhe kundërshtimet e Odës lidhur me tarifat e propozuara.
“Duhet të them se kemi qenë sinqerisht të befasuar kur kemi parë mënyrën se si janë trajtuar barnatoret në draft-rregulloren për taksat komunale”, deklaroi Bytyqi.
Ai theksoi se shqetësimi i OFK-së nuk është vetëm financiar, por edhe juridik, profesional dhe logjik, duke argumentuar se barnatoret nuk mund të trajtohen si biznese të zakonshme tregtare.
“Barnatorja nuk është një biznes tipik tregtar. Barnatorja është institucion shëndetësor. Ajo themelohet, licencohet dhe funksionon sipas legjislacionit të veçantë shëndetësor”, tha Bytyqi, duke shtuar se hapja dhe funksionimi i një barnatoreje kërkon farmacist përgjegjës, kushte të veçanta teknike, standarde profesionale dhe mbikëqyrje të vazhdueshme.
Sipas OFK-së, çdo ngarkesë administrative duhet të jetë proporcionale me natyrën e aktivitetit dhe koston reale që krijon për institucionet publike. Bytyqi tha se në draft-rregullore nuk është paraqitur asnjë analizë që arsyeton nivelin e tarifave të propozuara.
Ai ngriti shqetësim edhe për dallimin mes tarifave komunale dhe kostos së licencimit nga autoritetet qendrore. Sipas tij, një barnatore aktualisht paguan 500 euro për licencim pesëvjeçar, ndërsa draft-rregullorja parasheh një tarifë komunale prej 500 euro në vit.
“Kjo do të thotë se për pesë vjet një barnatore do të paguante 2,500 euro tarifë komunale, krahasuar me 500 euro për licencim pesëvjeçar nga autoritetet qendrore”, deklaroi Bytyqi.
Në fund, OFK kërkoi që drafti të tërhiqet nga procedura aktuale dhe të rishqyrtohet në bashkëpunim me odat profesionale dhe palët e interesit. Oda paralajmëroi se, nëse kërkesat e saj nuk merren parasysh, do të shfrytëzojë të gjitha mjetet ligjore në dispozicion.
“Ne nuk po kërkojmë privilegje. Po kërkojmë vetëm proporcionalitet, trajtim të drejtë, respektim të ligjit dhe vazhdim të partneritetit që kemi ndërtuar ndër vite me Komunën e Prishtinës”, përfundoi Bytyqi.
