Potencialet ekonomike të sektorit të bujqësisë, krahas krijimit të vlerës së shtuar përmes ndërlidhjes më të mirë dhe forcimit të kapaciteteve përpunuese, ishin temat e tryezës së organizuar nga Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë me Ministrin e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci.
Duke i vlerësuar diskutimet si këto si tejet të rëndësishme për zhvillimin e një dialogu të shëndoshë dhe racional, Ministri Peci theksoi se objektivi primar i Ministrisë është zhvillimi i bujqësisë së qëndrueshme. Ministri Peci theksoi rëndësinë e krahasimit të të dhënave dhe statistikave lidhur me prodhimin dhe importin e produkteve të ndryshme, të cilat janë përdorur për rifokusimin e subvencioneve dhe mbështetjen e kulturave me arsyeshmëri më të madhe ekonomike. Ai tha se si rezultat i masave të ndryshme të ndërmarra, për herë të parë është siguruar prodhimi primar i grurit për nevojat e brendshme të Kosovës.
Ministri diskutoi për mbështetjen për kultivuesit e produkteve parësore, përfshirë pemët dhe perimet, të cilat nuk kishin pasur fokus të mjaftueshëm në vitet e kaluara. Ai përshkroi gjithashtu planet për integrim më të mirë me industrinë e përpunimit të ushqimit, duke elaboruar mbështetjen për sektorin e blegtorisë, duke synuar rritjen e fondit blegtoral dhe përmbushjen më të mirë të kërkesave lokale.
Një tjetër informatë e rëndësishme ishte dhe rritja e eksportit të produkteve bujqësore për 94%, duke shtuar se si Ministri janë duke punuar paralelisht në disa aspekte të ndryshme ligjore, të cilat konsiderohen të jenë tejet të rëndësishme për industrinë e të cilat pritet të aprovohen se shpejti, përfshirë edhe Projektligjin për Kooperativat Bujqësore.