Oda Amerikane ka thënë se Qeveria e Kosovës po vazhdon t’i diskriminojë ndërmarrjet private në favor të atyre publike, duke u shprehur se ky favorizim po i cenon parimet e konkurrencës së lirë dhe të ekonomisë së tregut.
Sipas Odës, është shqetësuese që Qeveria i ka promovuar direkt shërbimet dhe produktet e Valës, në kundërshtim direkt me dispozitat e ligjit që rregullon funksionimin e ndërmarrjeve publike.
Oda ka thënë të mërkurën se favorizimet direkte dhe indirekte kundrejt operatorit privat, përbëjnë shkelje të Kushtetutës.
“Oda Amerikane ka përcjell veprimet e zyrtarëve më të lartë të Qeverisë, përfshirë Kryeministrin, të cilët qartazi kanë promovuar produktet e kësaj ndërmarrje publike para qytetarëve të Kosovës dhe pjesëtarëve të diasporës, në kundërshtim direkt me dispozitat e ligjit që rregullon funksionimin e ndërmarrjeve publike. Favorizimet direkte dhe indirekte të kësaj ndërmarrje publike kundrejt operatorit privat, respektivisht një investitori të huaj, në një treg të rregulluar, përbëjnë shkelje jo vetëm të dispozitave të ligjit të sipërcekur, por edhe të aktit më të lartë juridik – Kushtetutës së Republikës së Kosovës, e cila parasheh që bazë e rregullimit ekonomik të Republikës së Kosovës është ekonomia e tregut me konkurrencë të lirë”, thuhet në njoftim.
Ky institucion ka ftuar Qeverinë që të ndërpresë praktikën e favorizimit të ndërmarrjeve publike dhe diskriminimit të ndërmarrjeve private dhe investitorëve të huaj.