Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka shtuar dy ilaçe të reja për të adresuar varësinë nga nikotina, në listën e saj të barnave thelbësore.
”Bupropion’ dhe ‘Varenicline’ janë dy ilaçet antinikotinë që i bashkohen terapisë zëvendësuese të nikotinës duke ofruar mundësi alternative trajtimi për njerëzit që duan të lënë duhanin”, theksoi OBSH në një deklaratë.
Përfshirja e tyre në listë synon të mbështesë garën për të arritur qëllimin e fushatës së OBSH-së për lënien e duhanit, që shpreson se 100 milionë njerëz në të gjithë botën të linin duhanin vitin e ardhshëm.
Lista e barnave thelbësore përditësohet çdo dy vjet.
Lista përmban ilaçe të cilat, sipas vlerësimeve mjekësore, janë të nevojshme për kujdesin bazë shëndetësor të popullatës.
Lista shërben si një udhëzues për autoritetet shëndetësore që miratojnë ose blejnë ilaçe.