Pas vendimit të disa shteteve të mëdha perëndimore për të pezulluar fondet e tyre për agjencinë e OKB-së për refugjatët palestinezë (UNRWA), agjencia e shëndetësisë e OKB-së, OBSH, u ka kërkuar donatorëve të mos “shqetësohen”.
“Aktiviteti kriminal nuk mund të kalojë pa u ndëshkuar”, tha zëdhënësi i OBSH-së, Christian Lindmeier në një konferencë për media në Gjenevë. “Por diskutimi… [është] shpërqendrim nga ajo që po ndodh në të vërtetë çdo ditë, çdo orë, çdo minutë në Gaza”.
“Është shpërqendrim nga parandalimi i hyrjes së energjisë elektrike në Gaza”, tha ai.
“Është gjithashtu shpërqendrim edhe nga bombardimet e vazhdueshme të një popullsie të tërë – madje edhe në zonat që pak çaste më parë janë përcaktuar si zona të sigurta. Është një shpërqendrim nga sulmi ndaj strehimoreve, shkollave, spitaleve”, shtoi ai.
Të paktën 12 vende, sikurse Gjermania dhe Shtetet e Bashkuara, pezulluan fondet e tyre për agjencinë pasi Izraeli akuzoi disa nga anëtarët e saj se janë përfshirë në sulmet e Hamasit të 7 tetorit që vranë mbi 1 mijë e 100 njerëz./UBTNews/