Spitalet e mbetura të Gazës nuk mund të përballojnë numrin e të plagosurve, tha një ekspert shëndetësor i urgjencës së Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH).
Ministria e Shëndetësisë në Gaza vlerëson se mbi 60 mijë njerëz janë plagosur që nga fillimi i luftës.
“Pesë ose gjashtë mjekë ose infermierë po trajtojnë qindra pacientë në ditë”, tha koordinatori i ekipit mjekësor të urgjencës, Sean Casey.
“Aq shumë pacientë kishte të shtrirë në dysheme saqë mezi mund të lëviznit pa ua shkelur duart apo këmbët dikujt”, deklaroi Casey.
Sipas tij, spitali Al-Shifa, dikur spitali kryesor i Gazës me 700 shtretër, po trajton vetëm viktimat e traumave urgjente dhe është i mbushur me mijëra njerëz që kanë ikur nga shtëpitë e tyre dhe tani jetojnë në dhoma operacioni, korridore dhe shkallë.
Historikisht Gaza kishte një sistem të fuqishëm shëndetësor me 36 spitale, 25 mijë punonjës shëndetësorë dhe shumë specialistë, por 85% e popullsisë 2.3 milionë banorëshe janë zhvendosur, në mesin e tyre edhe punonjës shëndetësorë, mjekë, infermierë, kirurgë dhe personeli administrativ.
Sipas OBSH-së, vetëm 15 nga 36 spitale funksionojnë, dhe të gjitha këto funksionojnë vetëm pjesërisht./UBTNews/