UBT News

OBSH synon eliminimin e meningjitit deri në 2030

Organizata Botërore e Shëndetësisë paraqiti strategjinë e parë globale të meningjitit, me qëllim që të eliminojë deri në vitin 2030 epidemitë e meningjitit bakterial, që vrasin rreth 250 000 persona çdo vit në të gjithë botën.

Për ta arritur këtë, OBSH, së bashku me partnerët, ka zhvilluar një Udhërrëfyes Global me qëllimin për të eliminuar forma më vdekjeprurëse të sëmundjes, si edhe për të zvogëluar vdekjet me 70 për qind dhe për të përgjysmuar numrin e rasteve.

Kjo mund të shpëtojë mbi 200 000 jetë në vit në total dhe të zvogëlojë ndjeshëm barrën e handikapit si pasojë e sëmundjes.

Meningjiti është një inflamacion i rrezikshëm i membranave që rrethojnë trurin dhe palcën kurrizore, më së shpeshti i shkaktuar nga një infeksion bakterial ose viral.

“Kudo ku godet, meningjiti mund të jetë fatal dhe dobësues. Ai përhapet me shpejtësi, ka pasoja të rënda shëndetësore, ekonomike dhe sociale, si edhe çon në shpërthime shkatërruese të sëmundjeve”, tha Drejtori i Përgjithshëm i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus, në një deklaratë.

“Ka ardhur koha t’i japim fund meningjitit kudo në botë. Për këtë, është nevojë urgjente që të zgjerojmë aksesin në mjetet ekzistuese, përfshirë vaksinat, për të kryer kërkime të reja, për të parandaluar, zbuluar dhe trajtuar shkaqet e ndryshme të sëmundjes, si edhe për të përmirësuar shërbimet e rehabilitimit”, shtoi ai.

Meningjiti bakterial vret një në 10 persona të infektuar, kryesisht fëmijë dhe të rinj.

Një në pesë persona të prekur vuan nga një handikap afatgjatë (përfshirë humbjen e dëgjimit ose të shikimit, si edhe dëmtim të aftësive njohëse).

Gjatë dekadës së fundit, epidemitë e meningjitit kanë goditur të gjitha rajonet e botës, por kryesisht “brezin e meningjitit”, që kap 26 vende në Afrikën Subsahariane.

Disa vaksina mbrojnë kundër meningjitit, përfshirë vaksinat meningokokale, vaksinën Haemophilus influenzae të tipit B dhe vaksinat pneumokokale.

Megjithatë, jo të gjitha komunitetet kanë qasje në to dhe shumë vende nuk i kanë futur ende në programet e tyre kombëtare.

Hulumtimet janë duke u zhvilluar për të zhvilluar vaksina kundër shkaqeve të tjera të meningjitit, përfshirë streptokokët e grupit B.

Exit mobile version