Organizata Botërore e Shëndetësisë paralajmëroi për një rrezik “shumë të lartë” të përhapjes së kolerës në të gjithë Sirinë, pasi vendi regjistroi rastet e para që nga viti 2009.
“Rreziku i përhapjes së kolerës në provincat e tjera është shumë i lartë” tha OBSH, pasi rastet u regjistruan në të paktën pesë nga 14 provincat e vendit.
“Burimi i infeksionit mund të lidhet me njerëzit që pinë ujë nga burime të patrajtuara”, ose “ndotje e ushqimit për shkak të ujitjes së bimëve me ujë të kontaminuar”, tha OBSH në një deklaratë.
Të hënën, ministria siriane e Shëndetësisë raportoi dy vdekje nga kolera në zonat e kontrolluara nga qeveria.
Të shtunën, autoritetet kurde raportuan tre vdekje në zonat e Sirisë veriore dhe lindore nën kontrollin e tyre.
OBSH tha se rastet ishin të parat e raportuara në Siri që nga viti 2009, kur 342 raste u konfirmuan në provincën lindore të Deir Ezzor dhe provincën veriore të Raqa.
Sëmundja zakonisht merret nga ushqimi ose uji i kontaminuar dhe shkakton diarre dhe të vjella.
Mund të përhapet në zona të banuara ku nuk kanë rrjetet e duhura të kanalizimeve ose rrjetin e ujit të pijshëm.
OKB-ja lëshoi një apel urgjent për vendet donatore të hënën për fonde shtesë për të luftuar shpërthimin.
“Nevojitet veprim i shpejtë dhe urgjent për të parandaluar sëmundje dhe vdekje të mëtejshme”.
Në mbarë botën, sëmundja prek nga 1.3 milion deri në katër milion njerëz çdo vit, duke vrarë midis 21,000 dhe 143,000 njerëz./UBTNews/