Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSh) thotë se COVID-19 ka prekur rëndë stafin shëndetësor dhe si pasojë e COVID-19 besohet se kanë vdekur 80-180 mijë punëtorë shëndetësorë.
Kreu i OBSh-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus tha se punëtorët shëndetësorë duhet të jenë prioritet për vaksinim, dhe deklaroi se ka padrejtësi në shpërndarjen e vaksinave. Sipas tij, rastet e vdekjeve kanë ndodhur mes janarit të vitit 2020 deri në maj të këtij viti.
Një zyrtar i OBSh-së deklaroi se mungesa e vaksinave mund të ndikojë që pandemia të vazhdojë edhe vitin e ardhshëm. Vlerësohet se 135 milionë punëtorë shëndetësorë janë në mbarë botën.
“Të dhënat nga 119 vende sugjerojnë se mesatarisht, dy në pesë punonjës të kujdesit shëndetësor globalisht janë plotësisht të vaksinuar”, tha Dr Tedros.
Më pak se një në 10 punonjës të kujdesit shëndetësor u vaksinuan plotësisht në Afrikë, tha ai, krahasuar me tetë në 10 në vendet më të zhvilluara.
Më pak se 5% e popullsisë së Afrikës janë vaksinuar, krahasuar me 40% në shumicën e kontinenteve të tjera./UBTNews