Kreu i Organizatës Botërore të Shëndetësisë tha të mërkurën se ka pasur një rënie prej 90% të vdekjeve globale nga COVID-19 që nga muaji shkurti. Tedros Adhanom Ghebreyesus tha se kjo është arsye për optimizëm, megjithatë bëri thirrje për kujdes për shkak që pandemia ende po vazhdon.
“Mbi 9 mijë e 400 vdekje nga COVID-19 u raportuan në OBSh javën e kaluar – pothuajse 90% më pak se në shkurt të këtij viti, kur vdekjet javore arritën në 75 mijë”, tha Drejtori i Përgjithshëm i OBSh-së gjatë një konference virtuale për shtyp.
“Ne kemi bërë një rrugë të gjatë dhe kjo është padyshim arsye për optimizëm, por ne do të vazhdojmë t’u bëjmë thirrje të gjitha qeverive, komuniteteve dhe individëve që të qëndrojnë vigjilentë”, shtoi ai.
Tedros paralajmëroi se nivelet e testimit ndaj COVID-19 janë ende të ulëta globalisht, boshllëqet e vaksinimit midis kombeve të pasura dhe të varfra ekzistojnë dhe se variantet e reja “shqetësuese” po vazhdojnë të shtohen./UBTNews/