Organizata Botërore e Shëndetësisë u ka kërkuar njerëzve të anulojnë disa nga planet e tyre për të mbrojtur shëndetin publik pasi varianti Omicron po përhapet globalisht, duke paralajmëruar se “një ngjarje e anuluar është më e mirë se një jetë e anuluar”.
OBSH paralajmëroi se varianti Omicron po përhapet më shpejt se varianti Delta dhe po shkakton infeksione tek njerëzit tashmë të vaksinuar ose që janë shëruar nga sëmundja Covid-19.
Komentet e OBSH-së i bënë jehonë studimit nga Imperial College London, i cili tha javën e kaluar se rreziku i ri-infeksionit ishte më shumë se pesë herë më i lartë dhe varianti i ri nuk ka treguar asnjë shenjë se është më i butë se Delta.
Drejtori i përgjithshëm i OBSH-së Tedros Adhanom shtoi se festimet në shumë vende do të çonin në “rritje të rasteve, sisteme shëndetësore të mbingarkuara dhe më shumë vdekje” duke u kërkuar njerëzve të shtyjnë tubimet që kishin planifikuar.
“Një ngarje e anuluar është më e mirë se një jetë e anuluar”, tha ai.
Por ekipi i OBSH-së ofroi gjithashtu disa shpresa për njerëzit që tashmë janë lodhur nga kjo situatë duke thënë se viti 2022 do të jetë viti kur do të përfundon pandemia, e cila tashmë vrau më shumë se 5.6 milionë njerëz në mbarë botën.
Ai vuri në dukje zhvillimin e vaksinave të gjeneratës së dytë dhe të tretë dhe zhvillimin e trajtimeve antimikrobike dhe inovacioneve të tjera.
“(Ne) shpresojmë ta shndërrojmë këtë sëmundje në një sëmundje relativisht të lehtë që parandalohet lehtësisht, që trajtohet lehtësisht”, tha në konferencë Mike Ryan, eksperti kryesor i urgjencës i OBSH-së.
Ndërsa, Tedros tha gjithashtu se Kina, ku koronavirusi SARS-CoV-2 u zbulua për herë të parë, duhet të ofrojë të dhëna dhe informacione në lidhje me origjinën e tij për të ndihmuar reagimin në vazhdim./UBTNews/