Spitalet në mbarë botën po përballen me një rritje shqetësuese të infeksioneve bakteriale që janë rezistente ndaj antibiotikëve, duke rrezikuar një krizë të madhe shëndetësore në vitet e ardhshme, raporton The Guardian.
Sipas raportit të fundit të OBSH-së për 2023, një në gjashtë infeksione bakteriale është rezistente ndaj trajtimit me antibiotikë.
Nga 2018 deri 2023, mbi 40% e antibiotikëve kanë humbur efektivitetin në trajtimin e infeksioneve të zakonshme si ato të gjakut, traktit urinar dhe sëmundjet seksualisht të transmetueshme.
Situata është më kritike në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme, ku sistemi shëndetësor është më i dobët. Në Azinë Juglindore dhe Lindjen e Mesme, një në tri infeksione bakteriale është rezistente ndaj antibiotikëve, ndërsa në Afrikë kjo shifër është një në pesë.
Rezistenca antibakteriale ndodh kur bakteret përshtaten e nuk ndikohen më nga barnat. Vetëm më 2021, 4.7 milionë vdekje ishin të lidhura me këtë fenomen.
Problemi më i madh është me bakteret Gram-negative, si Escherichia coli dhe Klebsiella pneumoniae, që janë rezistente ndaj antibiotikëve të gjeneratës së tretë dhe edhe të linjës së dytë si karbapenemët.
Rritja e rezistencës po tejkalon zhvillimin e antibiotikëve të rinj, dhe numri i vdekjeve nga infeksionet rezistente pritet të rritet me 70% deri në vitin 2050.
Për të shmangur krizën, nevojiten veprime të koordinuara globale: diagnostikë më e mirë, qasje e drejtë në antibiotikë, përmirësim i higjienës dhe investim në kërkime për trajtime të reja.
Profesori Sanjib Bhakta nga UCL thekson se lufta kundër AMR kërkon bashkëpunim ndërdisiplinor dhe investime të reja në kërkim dhe infrastrukturë shëndetësore. /A.Z/UBT News/