Ëmbëlsuesit artificialë, të përdorur për të zëvendësuar sheqerin në një gamë të gjerë produktesh, nuk ndihmojnë në humbjen e peshës dhe mund të kenë efekte serioze shëndetësore, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë.
Agjencia shëndetësore e Kombeve të Bashkuara lëshoi udhëzime të reja këtë javë duke këshilluar kundër përdorimit të të ashtuquajturve ëmbëlsues pa sheqer ose NSS.
Një rishikim sistematik i provave në dispozicion “sugjeron që përdorimi i NSS nuk sjell ndonjë përfitim afatgjatë në reduktimin e yndyrës së trupit tek të rriturit ose fëmijët”, tha OBSH.
Për më tepër, rezultatet nga rishikimi “sugjerojnë se mund të ketë efekte të padëshirueshme të mundshme nga përdorimi afatgjatë i NSS, si një rritje e rrezikut të diabetit të tipit 2, sëmundjeve kardiovaskulare dhe vdekshmërisë tek të rriturit”.
Ëmbëlsuesit konsumohen nga miliona njerëz çdo ditë në produkte si soda dietike ose për të ëmbëlsuar kafenë, pjesërisht si një mënyrë për të shmangur shtimin në peshë nga sheqeri. Por se sa të shëndetshëm janë këta zëvendësues ka qenë prej kohësh një çështje polemike.
Drejtori i OBSH-së për ushqimin dhe sigurinë ushqimore, Francesco Branca, theksoi se zëvendësimi i sheqerit të zakonshëm me ëmbëlsues artificialë “nuk ndihmon në kontrollin e peshës në planin afatgjatë”.
“Njerëzit duhet të marrin në konsideratë mënyra të tjera për të reduktuar marrjen e sheqernave të lira, të tilla si konsumimi i ushqimeve me sheqerna natyrale, si frutat apo ushqimet dhe pijet pa sheqer”, tha ai.
“NSS nuk janë faktorë thelbësorë dietikë dhe nuk kanë asnjë vlerë ushqyese. Njerëzit duhet të reduktojnë ëmbëlsinë e dietës krejtësisht, duke filluar herët në jetë, për të përmirësuar shëndetin e tyre”.
Ndër ëmbëltuesit më të përdorur janë acesulfama K, aspartame, advantame, ciklamat, neotame, sakarina, sukraloza, stevia dhe derivatet e stevias./UBTNews/