Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSh), shpërthimi i lisë së majmunit në Evropë është një “ngjarje me zhvillim të shpejtë” e cila do të përhapet më gjerësisht në komunitet nëse nuk ndërmerren veprime.
Rastet në Britani të Madhe po përhapen shpejt, gjë që e ka shtyrë Chatherine Smallwood nga ekipi evropian i urgjencave të OBSh-së të paralajmërojë: “Ne po përballemi me përhapje të shpejtë të rasteve”.
Megjithëse tubimet masive mund të ndikojnë në përhapjen e lisë së majmunit, festivalet janë një mundësi e përkryer për të rritur ndërgjegjësimin, tha ajo, duke shtuar: “Ne me të vërtetë mund t’i përdorim ato ngjarje për të ofruar informacion dhe këshilla për njerëzit”.
Britania e Madhe shënoi 82 raste të reja këtë javë dhe në total janë 190 raste – shifra më e lartë e rasteve të konfirmuara jashtë vendeve ku sëmundja është endemike.
Rritja e rasteve vjen në javën e Jubileut të Platinit, ku pritet të mbledhen mijëra njerëz./UBTNews/