Organizata Botërore e Shëndetësisë, sot u bëri thirrje të gjitha kombeve që të investojnë më shumë në shëndetin mendor, duke thënë se vuajtjet janë të mëdha dhe janë përkeqësuar nga pandemia COVID-19.
Edhe para COVID-19 pothuajse një miliard njerëz jetonin me një çrregullim mendor, tha agjencia e KB në rishikimin e saj më të madh të shëndetit mendor global në dy dekada.
Më pas, në vitin e parë të pandemisë, shkalla e depresionit dhe ankthit u rrit me një të katërtën, edhe pse burime të pakta u përdorën për të luftuar virusin.
Vetëm dy për qind e buxheteve kombëtare shëndetësore dhe më pak se një për qind e të gjithë ndihmës shëndetësore ndërkombëtare shkon për shëndetin mendor, thuhet në raportin e OBSH-së.
“Të gjitha këto shifra janë shumë, shumë të ulëta. Interesi për shëndetin mendor për momentin është në nivelin më të lartë për shkak të pandemisë, por investimi në shëndetin mendor nuk është rritur. Ky raport u jep vendeve informacion se si t’i investojnë më mirë paratë e tyre për shëndetin mendor“, tha Mark Van Ommeren nga njësia e shëndetit mendor të OBSH-së në një konferencë për shtyp.
Ai tha se raporti theksoi se si vuajtja është e madhe në të gjithë botën. Sipas raportit, rreth një në tetë njerëz në mbarë botën jeton me një çrregullim mendor.
Është më keq për ata që jetojnë në zonat e konfliktit, në të cilat një në pesë persona vlerësohet se vuan nga një sëmundje mendore. Dhe të rinjtë, gratë dhe njerëzit që tashmë vuanin nga problemet e shëndetit mendor u goditën më rëndë nga Covid dhe kufizimet për shkak tij, tha Van Ommeren.
“Aty ku ka fatkeqësi, ka më shumë probleme të shëndetit mendor”, shtoi ai.
Raporti Botëror i Shëndetit Mendor i OBSh-së gjithashtu theksoi boshllëqet e mëdha në aksesin ndaj kujdesit shëndetësor mendor midis kombeve.
Ndërkohë që më shumë se 70 për qind e njerëzve që vuajnë nga psikoza marrin trajtim në vendet me të ardhura të larta, numri bie në 12 për qind në vendet me të ardhura të ulëta, tha ai./UBTNews/