UBT News

OBSH i hap dritën jeshile testeve të ‘mpox’

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka dhënë për herë të parë miratimin urgjent për një test të ri që diagnostikon virusin mpox, i njohur më parë si lija e majmunit. Ky test, i prodhuar nga kompania amerikane Abbott Molecular, do t’i lejojë agjencitë e OKB-së të blejnë dhe shpërndajnë materialin në vendet dhe rajonet më të prekura.

OBSH nënvizon se testi do të lejojë zbulesën më të shpejtë dhe më të lehtë të virusit. “Nëse më shumë njerëz testohen për virusin, masat për të frenuar përhapjen e tij mund të zbatohen më shpejt,” theksohet në një deklaratë nga organizata.

Derisa më shumë se 30,000 raste të dyshuara të mpox janë raportuar në Afrikë këtë vit, shumica e tyre në Kongo, numri i rasteve ka filluar të rritet edhe në vende fqinje si Burundi. Aktualisht, vetëm një në tre raste përfundon në dërgimin e një kampioni në një laborator për konfirmim.

Në gusht, OBSH shpalli mpox-in si një “urgjencë të shëndetit publik me shqetësim ndërkombëtar” (PHEIC), në përpjekje për të rritur ndërgjegjësimin dhe për të mobilizuar më shumë burime në luftën kundër përhapjes së sëmundjes.

Ndërkohë, në Evropë, ku shpërthimet ishin kontrolluar mirë në vitin 2022, rreziku i përhapjes përsëri të mpox konsiderohet i ulët. Megjithatë, OBSH vazhdon të monitorojë situatën me kujdes, ndërsa tri kompani të tjera kanë aplikuar për miratimin urgjent të testeve të tyre.

Ky hap i OBSH-së është një zhvillim kritik në përpjekjet për të kontrolluar dhe frenuar përhapjen e virusit, duke ofruar shpresë për një përgjigje më efektive ndaj këtij problemi shëndetësor./UBTNews/

 

 

Exit mobile version