Organizata Botërore e Shëndetësisë tha të enjten se pret “shifra të larta” të COVID-19 në Evropë këtë verë dhe u bëri thirrje vendeve të monitorojnë përhapjen ndërsa rastet janë trefishuar muajin e kaluar.
“Ndërsa vendet në të gjithë rajonin evropian kanë hequr masat sociale që ishin vendosur më parë, virusi do të transmetohet në nivele të larta gjatë verës”, tha për AFP drejtori rajonal i OBSH-së për Evropë, Hans Kluge.
“Virusi nuk do të largohet. Ende po përhapet, po ndryshon dhe po merr jetë njerëzish”, deklaroi ai tutje.
Me nënvariantin më të butë, por më ngjitës Omicron BA.5, i përhapur në të gjithë kontinentin, 53 vendet në rajonin evropian të OBSh-së aktualisht po regjistrojnë më pak se 500 mijë raste në ditë, sipas të dhënave të organizatës. Shifra është rritur nga 150 mijë sa ishte në fund të majit.
Austria, Qiproja, Franca, Gjermania, Greqia, Luksemburgu dhe Portugalia janë vendet me shkallën më të lartë të incidencës, me pothuajse të gjitha vendet e rajonit që u përballen me rritje të rasteve.
Pas regjistrimit të rreth 4 mijë deri në 5 mijë vdekje në ditë gjatë pjesës më të madhe të dimrit, Evropa aktualisht po raporton rreth 500 vdekje në ditë, afërsisht në të njëjtin nivel si gjatë verës së vitit 2020./UBTNews/