Një grua nga Brazili është dënuar me një vit burgim me kusht për dy vjet, pasi përndoqi vazhdimisht yllin e grupit BTS, Jungkook, pavarësisht paralajmërimeve të autoriteteve për të qëndruar larg shtëpisë së tij në Seul.
Sipas vendimit të Gjykatës së Qarkut në Seul, gruaja, identiteti i së cilës nuk është bërë publik, kishte filluar ta përndiqte këngëtarin në dhjetor të vitit të kaluar. Ajo kishte lënë letra dhe fotografi pranë banesës së tij, duke pretenduar se vepronte “nga dashuria” për artistin 28-vjeçar.
Gjykata bëri të ditur se gruaja kishte vizituar shtëpinë e Jungkook gjithsej 22 herë. Në një prej rasteve, ajo kishte rënë ziles së shtëpisë 133 herë, veprim që u cilësua nga gjykatësi si një nivel ekstrem obsesioni.
Ajo u arrestua më 13 dhjetor pasi kishte ndjekur një punonjës të shpërndarjes së ushqimit për të hyrë në pronë përmes një porte anësore. Edhe pse ishte liruar me paralajmërim që të mos i afrohej më banesës, ajo vazhdoi vizitat, duke detyruar policinë të lëshonte një urdhër emergjent që ia ndalonte afrimin brenda 100 metrave nga prona.
Përveç dënimit me kusht, gruaja pritet të dëbohet nga Koreja e Jugut, nëse nuk arrin të apelojë me sukses vendimin.
Ndërkohë, ky nuk është rasti i parë i tillë. Në qershor të vitit të kaluar, një grua kineze në të 30-at u arrestua në Seul teksa tentonte të hynte në shtëpinë e Jungkook vetëm disa orë pasi ai kishte përfunduar shërbimin ushtarak. /BBC/A.K/
