Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka publikuar në ueb faqe raportet e audituara financiare pas përfundimit të procesit të auditimit nga auditorë të cilët janë përzgjedhur nëpërmjet një konkursi të hapur publik nga Zyra për Registrim, Certitifkim dhe Kontrollin Financiar të Subjekteve Politike (ZRCKFSP).
Sipas njoftimit, raportet e audituara financiare të vitit 2021, të cilat u takojnë partive politike, janë publikuar në ueb faqen e KQZ-së: Shërbimet e KQZ-së, Shërbimet për Subjekte Politike, Raportet Vjetore Financiare, ose në vegzën direkte: https://kqz-ks.org/sherbime-per-subjektet-politike/raportet-vjetore-financiare-te-audituara/ .
Ndërkaq raportet e audituara të deklarimit finaciar të fushatës së Zgjedhjeve për Kuvendin e Kosovës (14 shkurt 2021) dhe Zgjedhjeve Lokale për Kuvende Komunale dhe dy raundet për Kryetarë të Komunave (17 tetor 2021 dhe 15 nëntor 2021) janë publikuar në ueb faqen e KQZ-së: Shërbimet e KQZ-së, Shërbimet për Subjekte Politike, Raportet Financiare të Fushatave Zgjedhore, ose në vegzën direkte: https://kqz-ks.org/sherbime-per-subjektet-politike/raportet-financiare-te-fushatave-zgjedhore-te-audituara/.
Po ashtu, në proces të auditimit janë edhe raportet vjetore financiare të vitit 2022, të cilat u takojnë partive politike. Pasi të përmbyllet procesi i auditimit dhe procedurat tjera, këto raporte do të publikohen në ueb faqen e KQZ-së, njofton vet KQZ-ja.
“Duke u mbështetur në legjislacionin në fuqi, të gjitha partitë politike të regjistruara janë të obliguara që deri më 1 mars të çdo viti të dorëzojnë raportet vjetore financiare, ndërsa pas çdo palë zgjedhjeje subjektet politike garuese duhet të dorëzojnë raportin financiar të fushatës më së largu deri 45 ditë pas ditës së zgjedhjeve”, njofton KQZ-ja.
Tutje theksohet se me qëllim të rritjes së transparencës, prej disa vitesh KQZ-ja ka publikuar raportet vjetore financiare dhe raportet e fushatave zgjedhore edhe kur ato nuk kanë qenë të audituara, duke sqaruar se të njëjtat mund të pësojnë ndryshime dhe saktësim gjatë procesit të auditimit.