UBT News

OAK kërkon bojkotimin e produkteve të Rusisë dhe aleatëve të saj

Oda e Afarizmit të Kosovës (OAK) i bashkohet fushatës botërore, evropiane dhe të Kosovës për mbështetje të Ukrainës duke i kërkuar bojkotimin e produkteve të atyre që janë duke kryer gjenocid ndaj popullit ukrainas dhe atyre që janë duke e përkrahur Rusinë siç është Serbia, duke kërkuar nga BE, SHBA dhe vendet e tjera, vendosjen e sanksioneve edhe ndaj Serbisë.

OAK kërkon gjithashtu nga bizneset që bëjnë tregti me Serbinë që ta ndërpresin menjëherë bashkëpunimin duke marrë parasysh pretendimet e vazhdueshme dhe në rritje territoriale që Serbia në përkrahje të Rusisë i ka ndaj Kosovës, duke vazhduar ta mbanë në Kushtetutën e Serbisë ende Republikën e Kosovës.

“Serbia është i vetmi vend në Evropë që nuk i ka vendosur Rusisë sanksione duke e konsideruar aleatin kryesor të saj”, thuhet në komunikatën e OAK-ut.

OAK mbështet iniciativat nga Evropa dhe SHBA dhe kërkon nga Qeveria e Kosovës që të rrisë angazhimin që BE dhe SHBA-ja të përshpejtojnë procedurat për futjen e Kosovës në BE dhe NATO, si një garanci për rritjen e sigurisë në Ballkan dhe Evropë dhe shuarjen e pretendimeve të Serbisë dhe Rusisë për ndarjen e Kosovës dhe Bosnjës.

“OAK që nga themelimi është në përpjekje të vazhdueshme të mbështetjes së bizneseve, sidomos atyre prodhuese në mënyrë që t’i zëvendësoj produktet e Serbisë me ato vendore. Duke synuar që të krijohet hapësirë dhe komoditet për përkrahjen e prodhimeve vendore, si organizatë në të cilën kemi qindra biznese vendore, jemi në përkrahje të fushatës për mbështetjen e produkteve vendore. Mënyra më e mirë dhe paqësore me i dal zot vendit, është duke mos ble asgjë të prodhuar në Serbi, Rusi dhe Bjellorusi. Dhjetëra mijëra shqiptarë, me mbështetje ndërkombëtare, e sakrifikuan gjakun për Kosovën. Bojkoti i këtyre produkteve është minimumi që mund të bëjmë”, thuhet në komunikatë.

Exit mobile version