Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka bërë të ditur se gjatë ditës së sotme (e hënë) do t’i publikojë në dy pjesë 100 projektet e zotimet e “Rrugës së re”. E një nga projektet që tashmë e ka bërë publik, është programi për fëmijën e tretë, sipas të cilit do të ndahen 5 mijë euro për ata që bëjnë fëmijën.
Disa nga premtimet tjera të tij janë edhe buxhet 4.5 miliardë euro deri në fund të mandatit të parë, ndërtimi i centralit me gaz 500 mw (500 milionë euro), qendër e re spitalore në Prishtinë, ndërtimi i Stadiumit Kombëtar në Prishtinë etj.
“Gjatë ditës së sotme do t’i publikoj në dy pjesë të 100 projektet e zotimet e “Rrugës së Re”. Ato janë të elaboruara në një program voluminoz e të detajuar, i cili në plotni do të prezantohet në Konventën e madhe programore të Lidhjes Demokratike gjatë muajve tetor e nëntor të këtij viti. Ju ftoj t’i lexoni ato. Të jepni mendimet tuaja për to. Të diskutojmë bashkërisht për to, e në raste dhe t’i pasurojmë ato. ‘Rruga e Re’ fundja do të jetë një udhërrëfyes i gjallë me plotësime gjatë gjithë kohës”, ka shkruar ndër të tjera Abdixhiku.