Mbetje të supozuara njerëzore janë gjetur brenda rrënojave të nëndetëses Titan e cila shpërtheu në thellësi të ujërave të Atlantikut gjatë një eksplorimi drejt anijes së fundosur Titanik.
BBC, duke cituar Rojën Bregdetare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, raporton se mes rrënojave që kanë nxjerrë në sipërfaqe dyshohet se ka edhe mbetje njerëzore.
Shpërthimi i Titanit i mori jetën pesë pasagjerëve të cilët ishin në bordin e saj ndërsa kanë nisur hetimet për të kuptuar se çfarë ka ngjarë në të vërtetë.
Profesionistët mjekësorë amerikanë do të kryejnë një analizë zyrtare të këtyre mbetjeve të supozuara njerëzore, citohet Roja Bregdetare amerikane.
Roja Bregdetare ka ngritur dhe një Bord Hetimor Detar (MBI) e cila do të transportojë të gjitha pjesët e nëndetëses në një port amerikan për analiza dhe testime të mëtejshme.
Megjithatë, zyrtarë të MBI thanë se ka shumë punë për të bërë për të përcaktuar se çfarë e shkaktoi shpërthimin dhe që një tragjedi e tillë të mos përsëritet.
Titan u zhduk më 18 qershor afër fundit të oqeanit vetëm një orë e 45 minuta pasi u zhyt në Atlantikun e Veriut.
Ekspertët thanë se viktimat, duke përfshirë tre britanikë – miliarderi Hamish Harding, biznesmeni Shahzada Dawood dhe djali i tij 19-vjeçar Suleman, vdiqën sapo ajo shpërtheu.
Gjithashtu në mesin e viktimave ishte eksploruesi francez 77-vjeçar Paul-Henri Nargeolet dhe CEO i OceanGate, Stockton Rush, i cili drejtonte turneun e Titanikut.