Mëngjesi i sotëm ishte i përgjakshëm në shkollën fillore ‘Vladislav Ribnikar’ në Vraçar të Beogradit, pasi që një nxënës 14-vjeçar dyshohet se ka qëlluar me armë duke lënë të vdekur të paktën nëntë persona.
Sipas mediumit serb nova.rs, në mesin e viktimave janë edhe një rojë e shkollës dhe një mësimdhënës i lëndës së historisë.
Ngjarjen e rëndë e ka përshkruar edhe një nxënëse e kësaj shkolle, e cila ka thënë se për të shpëtuar është bërë si e vdekur pranë trupave të shokëve të saj.
“Ka filluar të qëllojë rastësisht. Fillimisht ka qëlluar mësuesin e historisë dhe më pas ka vazhduar. Ai vrau dy nga miqtë tanë, unë isha e shtrirë mes tyre dhe ai mendonte se kam vdekur. Ai doli nga klasa, të shtënat dëgjoheshin ende. Kur u ngrita e pashë Dragançetin të vdekur”, tha ajo.
Policia arrestoi një nxënës 14-vjeçar në shkollën Vladislav Ribnikar në qendër të Beogradit në lidhje me sulmin e mëngjesit të së mërkurës.
Siç raportojnë mediat serbe, pas të shtënave studenti tentoi të largohej me vrap, por shumë shpejt policia e mori në mbajtje.