Pas qarkullimit të një fotografie të disa fëmijëve ku shihen tek mbajnë në duar portretin e presidentes Vjosa Osmani dhe atë të kryeparlamentarit Glauk Konjufca, kanë reaguar nga Zyra e Presidencës dhe ajo e kryetarit të Kuvendit të Kosovës.
Bekim Kupina, këshilltari për media i presidentes Vjosa Osmani, ka thënë se aktivitetin ku fëmijët mbajnë kopje të Buletinit të Kuvendit të Kosovës nuk e ka organizuar Presidenca.
“Aktivitetin ku fëmijët mbajnë kopje të Buletinit të Kuvendit të Kosovës, në kopertinat e të cilave janë fotografitë e Presidentes dhe Kryetarit të Kuvendit, nuk e ka organizuar Presidenca”, ka thënë ai.
Lidhur me këtë ka reaguar edhe shefi i Kabinetit të kryeparlamentarit Glauk Konjufca, Ilir Kërçeli, i cili ka thënë se janë kundër praktikës që fëmijët të mbajnë në dorë fotografi të figurave politike.
Ai ka thënë se mbajtja e fotografive të krerëve të shtetit nga fëmijët është përgjegjësi e mësimdhënësve.
“Pajtohemi që nxënësit e shkollave të ndryshme të Kosovës të bëjnë vizita në institucionet e Republikës së Kosovës dhe të njoftohen nga afër me punët e institucioneve të vendit. Një veprimtari e tillë ka ndodhur vazhdimisht edhe në të kaluarën. Mirëpo jemi kundër kësaj praktike që fëmijët të mbajnë në dorë fotografi të figurave politike. Fëmijët e kanë botën e tyre të pastër dhe të pafajshme dhe duhet të mbahen larg fenomeneve të tilla. Por për këtë janë përgjegjës mësimdhënësit. Shprehim keqardhje që një gjë e tillë ka ndodhur pa dijeninë tonë”, ka shkruar ai në Facebook, sipër fotografisë që qarkulloi sot.
Nxënës të shumtë kanë vizituar sot Kuvendin e Kosovës, në prag të 17 shkurtit, Ditës së Pavarësisë.