UBT News

Nxënësit nga klasa e parë deri në të pestën do të mbajnë mësim fizikisht në shkolla

Nga data 12 prill, përveç çerdheve dhe kopshteve, edhe klasat përgatitore që mbajnë mësim në shkolla fillore dhe klasat nga e para deri në të pestën do të mbajnë mësimin me praninë fizike të nxënësve në institucionet edukativo-arsimore.

Kështu u tha në takimin virtual të ministres së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, që mbajti me zyrtarë të Ministrisë dhe drejtorët komunal të arsimit.

Ndërkaq për klasat 6 deri 9 nga shkollimi i mesëm i ulët, si dhe klasat 10 deri 12 nga shkollimi i mesëm i lartë, mësimi do të mbahet me platformat online, ku edhe duhet të realizohen përgatitjet e duhura për periudhën e tretë të vitit shkollor 2020/2021.

“Komunat kërkuan që të shqyrtohet mundësia e organizimit të mësimit sipas specifikave dhe rekomandimeve të Task Forcave Komunale. Komunat shprehën edhe shqetësimin për tërheqjen e mjeteve nga buxheti i komunave prej përmbaruesve privat, duke u thirrë në obligime të Kontratës Kolektive”, thuhet mes tjerash në njoftimin e Ministrisë.

Shqetësim tjetër është që DKA-të, nuk po arrijnë të kryejnë obligimet e parapara sipas Master Planit për zhvillimin e mësimit në kushte pandemie, ku ndër të tjera përfshihet edhe mirëmbajtja, dezinfektimi dhe pastërtia, pasi buxhetin prej 5 milionë euro, qeveria e kaluar e ka shfrytëzuar për pagesën shtesë të mësimdhënësve./UBTNews

Exit mobile version