Nga data 12 prill, përveç çerdheve dhe kopshteve, edhe klasat përgatitore që mbajnë mësim në shkolla fillore dhe klasat nga e para deri në të pestën do të mbajnë mësimin me praninë fizike të nxënësve në institucionet edukativo-arsimore.
Kështu u tha në takimin virtual të ministres së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, që mbajti me zyrtarë të Ministrisë dhe drejtorët komunal të arsimit.
Ndërkaq për klasat 6 deri 9 nga shkollimi i mesëm i ulët, si dhe klasat 10 deri 12 nga shkollimi i mesëm i lartë, mësimi do të mbahet me platformat online, ku edhe duhet të realizohen përgatitjet e duhura për periudhën e tretë të vitit shkollor 2020/2021.
“Komunat kërkuan që të shqyrtohet mundësia e organizimit të mësimit sipas specifikave dhe rekomandimeve të Task Forcave Komunale. Komunat shprehën edhe shqetësimin për tërheqjen e mjeteve nga buxheti i komunave prej përmbaruesve privat, duke u thirrë në obligime të Kontratës Kolektive”, thuhet mes tjerash në njoftimin e Ministrisë.
Shqetësim tjetër është që DKA-të, nuk po arrijnë të kryejnë obligimet e parapara sipas Master Planit për zhvillimin e mësimit në kushte pandemie, ku ndër të tjera përfshihet edhe mirëmbajtja, dezinfektimi dhe pastërtia, pasi buxhetin prej 5 milionë euro, qeveria e kaluar e ka shfrytëzuar për pagesën shtesë të mësimdhënësve./UBTNews