UBT News

Nvidia investon 2 miliardë te Synopsys

Nvidia ka investuar 2 miliardë dollarë në kompaninë e softuerëve të dizajnimit të çipeve, Synopsys, si pjesë e një partneriteti të zgjeruar shumëvjeçar për zhvillimin e mjeteve të reja të projektimit me teknologji të avancuar të inteligjencës artificiale.

Qëllimi i marrëveshjes është zhvendosja e proceseve të simulimit inxhinierik nga CPU-të tradicionale drejt GPU-ve të Nvidia-s, duke reduktuar kohëzgjatjen e simulimeve nga javë të tëra në vetëm disa orë.

CEO i Nvidia-s, Jensen Huang, deklaroi se ky përshpejtim do të hapë mundësi të reja për industri të ndryshme që mbështeten në projektimin dhe simulimin e çipeve.

Synopsys theksoi se investimi nuk përfshin asnjë detyrim për blerjen e GPU-ve të Nvidia-s dhe se marrëveshja mbetet jo-ekskluzive, gjë që i lejon kompanisë të vazhdojë bashkëpunimet edhe me firma të tjera si AMD dhe Intel.

Pas lajmit, aksionet e Synopsys u rritën pothuajse 5%, ndërsa ato të Nvidia-s shënuan rritje prej 1.4%.

Kompania Nvidia ka bërë investime të mëdha këtë vit në biznese të lidhura me industrinë e AI, përfshirë OpenAI dhe Intel.

Synopsys konfirmoi se Nvidia i bleu aksionet e saj me çmimin 414.79 dollarë për aksion. /A.Z/UBT News/

 

 

 

 

 

Exit mobile version