Në ditët e sotme farat i shohim në bukë, në lëngje të shtrydhura dhe në jogurtë. Ngrënia e vetëm një sasie të vogël të tyre mund t’i ofrojë organizmit një sasi të konsiderueshme të yndyrave të ndryshëm, magnezit dhe zinkut.
Sara Prestreshi, menaxhere në kompaninë “Buka”, thotë për emisionin Sot në KTV se bukët me fara janë të kërkuara shumë nga qytetarët kohët e fundit. Sipas saj, çmimet e bukës me fara janë të volitshme.
Farat si luledielli, çia, liri dhe farat e kungullit, qytetarët i kanë në dispozicion edhe në disa dyqane, të cilat gjenden në rrugën “Bajram Kelmendi” në kryeqytet.
Një nga shitësit e këtyre farave është edhe Fuad Vila, i cili thotë se qytetarët janë të interesuar që të blejnë lloje të ndryshme të farave. Sipas tij, çmimet e farave sillen nga 5 deri në 20 euro për kilogramë.
Gjithashtu ai demonstron disa kombinime interesante të çajreve me fara, të cilët mund të përgatiten edhe në shtëpi, për të mënjanuar ftohjet dhe viruset e ndryshme.
Me shitjen e këtyre farave të shëndetshme merret edhe Visar Kadriu. Ai thotë se shumë qytetarë vizitojnë dyqanin e tij të rekomanduar nga mjekë dhe nutricistë të ndryshëm.
Ndërkohë, nutricistja Leonora Gashi, thotë se farat janë burim i vitaminave dhe mineraleve, të cilat ndihmojnë në përmirësimin shëndetit dhe vitalitetit të organizmit.
Gashi thotë se tani njerëzit janë të informuar për dobitë e farave por, siç thotë ajo, duhet të kenë kujdes me sasinë e tyre.
Farërat tashmë janë pjesë edhe e dietave të ndryshme, të cilat mundësojnë humbjen në peshë duke mos pasur efekte anësore.
Bimët me farë janë grupi më i madh i të gjitha bimëve. Sot njihen rreth 240 mijë lloje të farave por, pretendohet se ekzistojnë rreth 300 mijë lloje.