Presidenti i Këshillit Kombëtar të Zvicrës, Eric Nussbaumer, i ka bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë të ndërmarrin hapa që parandalojnë tensionet dhe të kthehen në tavolinën e bisedimeve.
Në një konferencë për media së bashku me kryeparlamentarin Konjufca, Nussbaumer, ka thënë se Zvicra mbështet dialogun, teksa shtetin e tij e ka quajtur aleat të fortë për Kosovën.
“Ne kemi pasur një takim të frytshëm, diskutimet tona i kanë theksuar marrëdhënie dinamike dhe të fuqishme. Kosova dhe Zvicra kanë bashkëpunuar edhe në fushën e diplomacisë parlamentare. Unë e kam përshëndetur bashkëpunimin e ekspertizave parlamentare. Zvicra është një mbështetëse e vazhdueshme e Kosovës, Zvicra është krenare me komunitetin e integruar mirë në shoqërinë tonë, të kosovarëve. Zvicra është e shqetësuar për tensionet në rritje në lidhje me pakicat serbe në Kosovë. Ne i bëjmë thirrje Qeverisë së Kosovës dhe Serbisë që të ndërmarrin hapa që të parandalojnë tensionet. Zvicra mbështet dialogun, Kosova ka Zvicrën një aleate të besueshme për zhvillim dhe integrimin evropian”, u shpreh ai.